Robert Schuman (politikan)
Robert Shuman
Politikan dhe avokat francez,
Babai i Bashkimit Europian
Babai: Jean-Pierre Schuman
Nëna: Eugene Duren
Lindi më 29 qershor 1886 në Clausen, rrethinë e Luksemburgut
Vdiq më 4 shtator 1963 (77 vjeçar) në Lorraine, Francë
Partia: Mouvement républicain populaire (kristain-demokrate)
Gjëndja civile:Nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë
Mandati i parë 24 nëntor 1947 - 19 korrik 1948
Prsident i Republikës Auriol
Qeveria e Robert Shuman
Pararendës: Paul Ramadier
Pasues: André Marie
Mandati i dytë 5 shtator 1948 - 7 shtator 1948
Prsident i Republikës Auriol
Qeveria e Robert Shuman
Pararendës: André Marie
Pasues: Henri Queuille
Presidenti i 5-të i Parlamentit Europian
1958 — 1960
Pararenës: Hans Furler
Pasues: Hans Furler
“Paqja botërore nuk mund të mbrohet pa përpjekje kreative në proporcion me rreziqet që e kërcënojnë atë. Kontributi që një Evropë e organizuar dhe aktive mund të sjellë për qytetërimin është i domosdoshëm për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore... Evropa nuk do të krijohet menjëherë ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet me anë të arritjeve konkrete të cilat në radhë të parë do të krijojnë një solidaritet de facto...”
Robert Shuman (Schuman) ka hyrë në historinë e projektit më të madh evropian si një nga themeluesit kryesorë të tij dhe së bashku me Zhan Mone – një nga ideatorët e asaj çka sot njihet si Bashkimi Evropian. Shuman, një politikan kristian-demokrat dhe njeri mjaft religjioz, ka lindur më 29 qershor 1886 në Luksemburg. Babai i tij Jean-Pierre Schuman (1837-1900), ka lindur si shtetas francez, në krahinën e Lorraine, në kufi me Luksemburgun dhe Gjermaninë, një krahinë për të cilën shpesh ka pasur mosmarrëveshje midis Francës dhe Gjermanisë. Me aneksimin e krahinës nga Perandoria gjermane në vitin 1871 ai bëhet shtetas gjerman. Në fakt, deri në fund të Luftës së II Botërore, kjo krahinë ka kaluar herë brenda kufijve francezë dhe herë është aneksuar nga Gjermania. Si rrjedhojë, edhe banorët e këtij rajoni (dhe vetë Shumani) herë janë konsideruar si shtetas francezë e herë si gjermanë.
Robert Shuman zgjodhi shtetësinë franceze në vitin 1919, pasi Alsace-Lorraine iu ri-kthye përsëri Francës. Nëna e tij, Eugénie Duren (1864-1911), ishte me origjinë luksemburgase, e cila pas martesës mori shtetësinë gjermane. Gjuha e nënës për Shuman ishte ajo luksemburgas, ndërsa gjuha e dytë ishte ajo gjermane. Meqë frëngjishten, ashtu si të gjithë luksemburgasit, e mësoi në shkollë, vërehej theksi gjerman i tij kur fliste këtë gjuhë. Ndërsa arsimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në Luksemburg, studimet universitare në fushën e drejtësisë i përfundoi në Gjermani – Universiteti i Bonit, Universitetin Munihut, Universitetin Humbodlt në Berlin. Shuman ushtroi profesionin e tij si avokat.
Gjatë Luftës së I Botërore Shuman, për arsye shëndetësore nuk u rekrutua në ushtrinë gjermane. Me përfundimin e L. I. B. dhe ri-kthimin e Lorraine Francës ai u aktivizua në skenën politike franceze si deputet i Thionville. Shuman vazhdoi të zgjidhej si përfaqësues i kësaj zone në parlamentin francez deri në vitin 1958, me disa ndërprerje gjatë viteve të luftës. Në vitin 1940, ndërkohë që L. II. B. kishte filluar, Shuman arrestohet dhe burgoset nga Gestapo, por dy vjet më vonë (1942) ai arratiset dhe bashkohet me Rezistencën Franceze. Pas Luftës së II Botërore R. Shuman luajti një rol të madh jo vetëm në skenën politike franceze, por edhe më gjerë, në nivel evropian. U emërua fillimisht Ministër i financave në kabinetin e parë dhe për një periudhë të shkurtër (1947-1948) Shuman mbajti edhe postin e kryeministrit të dy kabineteve franceze. Duke pasur parasysh sistemin elektoral francez dhe zhvillimet politike në përgjithësi, qëndrueshmëria e kabineteve ishte e dobët dhe kjo bëri që edhe jetëgjatësia e kabineteve të drejtuara nga Shuman të ishte e vogël – 7 muaj në kabinetin e parë dhe vetëm 6 ditë në kabinetin e dytë. Një vit më vonë, ai mori postin e Ministrit të punëve të jashtme në kabinetin pasardhës. Robert Shuman ka shërbyer në ekzekutivin e Francës gjithashtu edhe si Ministër i Drejtësisë, ndërsa në komunitetin evropian ai ka mbajtur postin e Presidentit të Asamblesë Parlamentare. Ishte pikërisht në postin e Ministrit të punëve të jashtme të Francës, kur Robert Shuman së bashku me Zhan Mone përgatitën planin për projektin më të madh evropian – krijimin e Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Karbonit (KEÇK). Të përkrahur nga entuziazmi i Kancelarit gjermano-perëndimor K. Adenauer dhe liderëve të tjerë të Italisë, Luksemburgut, Belgjikës dhe Holandës për krijimin e këtij komuniteti, Robert Shuman më 9 Maj 1950 shpalli para evropianëve planin e tij për realizimin e këtij projekti, duke ftuar vendet evropiane t’i bashkoheshin KEÇK-së. Ideja kryesore e Planit të Monesë dhe Shumanit ishte që nëpërmjet administrimit të përbashkët të industrisë së çelikut dhe karbonit të Francës dhe Gjermanisë, të hidheshin bazat e një bashkimi të vendeve evropiane, bashkim i cili do të shënonte fillimin e një epoke të re paqeje, prosperiteti dhe zhvillimi në kontinentin e vjetër. Zgjedhja pikërisht e kësaj industrie nuk ishte e rastësishme. Bëhej fjalë për industrinë e cila ishte boshti kryesor i gjithë makinerisë së luftës – çelikut, i cili tashmë do të shndërrohej në një fushë e cila do t’i lidhte edhe më tepër këto dy vende dhe ekonomitë e tyre. Në këtë mënyrë, gjermanët dhe francezët do të ishin të detyruar t’i ktheheshin të ardhmes – bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik, dhe jo të kaluarës së mbushur me mosmarrëveshje, konflikte dhe luftëra. Duke i ftuar edhe vendet e tjera evropiane t’i bashkohen kësaj iniciative, Plani Shuman tashmë nuk ishte thjesht një plan ri-pajtimi i fokusuar tek Franca dhe Gjermania, por një platformë bashkimi dhe zhvillimi pan-evropian. Ishte pra një plan i cili synonte të hidhte bazat e një Europe të re, Evropë e cila do t’i linte pas vetes konfliktet dhe do t’i kthehej të ardhmes – zhvillimit ekonomik, konsolidimit të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve të vet. Deklarata e 9 majit 1950 dhe plani i Zhan Monesë dhe Robert Shumanit, padyshim që ndryshoi jetën e evropianëve. Nga ana tjetër, përpjekjet e vazhdueshme dhe përkushtimi i përbashkët i shteteve anëtare bëri që kjo sipërmarrje të jetë e suksesshme dhe që projekti evropian të shndërrohet në një platformë paqeje, zhvillimi dhe mirëqenieje në Evropë. 56 vjet më pas Bashkimit Evropian i janë bashkuar 25 shtete anëtare, ndërsa perspektiva e anëtarësimit ngelet e hapur edhe për disa shtete të tjera. Sot, në Ditën e Evropës Bashkimi Evropian vërtet nuk është plotësisht ashtu siç e kishte imagjinuar Zhan Moneja apo Uinston Çërçill, por në asnjë moment nuk është vënë në dyshim fakti se projekti evropian e ka përmbushur objektivin kryesor të tij – ndërtimin e një Evrope të zhvilluar, në paqe dhe prosperuese.
Për rolin dhe kontributin e tij në projektin evropian, Robert Shumanit shpesh i referohet si një nga “baballarët e Evropës”.
Në 1958 Shumanit i jepet Çmimi Karlspreis nga qyteti gjerman Aachen. Ky është një çmim që u jepet personaliteteve të shquara që kanë kontribuuar për realizimin e idesë së Evropës. Robert Shuman ndërroi jetë më 4 shtator 1963.
Deklarata e 9 Majit
Artikull i plotë: Deklarata e 9 Majit
9 MAJ - DITA E EVROPËS Më 9 maj 2006 mbushen plot 56 vjet nga dita kur Robert Shuman bëri deklaratën e famshme për krijimin e Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Karbonit.
9 maji 1950 është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shcuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”. Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.
Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”.