[go: nahoru, domu]

Jump to content

Theodhosi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Theodhos Kinovjarku ( greqisht: i dhënë nga ose tek Perëndia ) lindi më 423 ose 424 në Kapadokia në qendër të Azisë së Vogël, nga të virtytshmit Proeresio dhe Evlogjia (të cilën më pas e dorëzoi murgeshë). Më 451 vizitoi Vendet e Shenjta dhe më vonë u bekua në Siri nga oshënari parashikues, Simeon Stiliti (1 shtator). Më pas u bë murg në Jerusalem dhe u vu nën bindjen e jerontit Longin Hezikastit. U ushtrua tridhjetë vjet në shkretëtirë, ushqehej me lakra dhe pa bukë fare, derisa fama e virtytit të tij tërhoqi shumë vetë.

Shën Theodhosi sipas Kiril Skithopolitit mbolli në Palestinë sistemin qinovjak (jetën monastike të përbashkët në grupe dhe jo veç e veç, siç ishte më parë). Ai krijoi një manastir të madh, me rregulla shumë të rrepta. E ndërtoi atje, ku qymyret e temjanit, kur u rrotullua në drejtime të ndryshme, u ndezën vetë, ashtu siç ishte lutur, dhe mbanin erë shumë të mirë. Manastirit i shtoi spital, azil dhe institucione të tjera bamirësie, të cilat u shërbenin mbi njëqind nevojtarëve në ditë. Si preokupime kryesore të shtatëqind vëllezërve vendosi lutjen dhe punën. Kryepeshkopi i Jerusalemit Salusti, e caktoi igumenin e kulturuar dhe të ditur përgjegjës të përgjithshëm të kinoveve të Tokës së Shenjtë. Shenjtori shëronte sëmundje të pashërueshme, shndërroi një kokërr gruri në shumë grurë, çlironte të mbjellat nga karkalecat, bëri të binte shi, paratha një tërmet në Antioki, profetizonte se si do të plotësoheshin ushqimet që iu jepte manastiri të uriturve, - një herë uerdhi i vetëftuar një kafshë ngarkese me ushqime, ­ shfaqej në ëndrra apo vizione dhe shpëtonte, ndërsa rroba e tij mbrojti si mburojë një gjeneral. I vendosur në besimin ortodoks, shkoi një herë nëpër qytete për të mbështetur besimtarët. Dërgoi, madje, bashkë me të tjerët, letër te perandori me tendenca monofizite Anastasi I (491- 518), të cilin e inatosi aq shumë, sa Theodhosi u internua deri në vdekjen e sundimtarit. Oshënari, mbasi u torturua pa u ankuar dergjur në shtrat një vit, si rezultat i një sëmundje të dhimbshme, fjeti më 11 janar 529, në moshë mbi njëqindvjeçare