Kinemateka
Kinemateka apo kinoteka është një term që përdoret për të emërtuar institucione që merren me koleksionimin dhe arkivimin, studimin dhe propagandimin e artit kinematografik. Termi duket të jetë i vitit 1921, i krijuar nga kritiku dhe kineasti francez Léon Moussinac në një artikull në revistën e kohës Cinémagazine,[1][2] nën shembullin e fjalëformimeve të ngjashme mbi koleksionet si bibliotekë, kartotekë, pinakotekë, apo fonotekë. Një fjalëformim i tillë mbështetet në fjalën θήκη (thēke) të greqishtes së vjetër, që do të thotë kuti, dhe përdoret si prapashtesë për të treguar vendin ku ruhen sende të caktuara[3].
Si vend për koleksionimin e filmave, fjala kinematekë (apo versioni i saj italisht cineteca, nëpër gjuhët sllave kinoteka) u përdor në Evropën kontinentale dhe nuk pati popullaritet në botën anglo-saksone.
Për herë të parë konkretisht ajo duhet të jetë përdorur në rastin e Kinematekës franceze (La cinémathèque française), por më pas u përdor në vende të tjera, si Kinemateka gjermane (Deutsche Kinemathek), kinemateka e institutit danez te filmit (Cinemateket), kinemateka jugosllave (Jugoslovenska Kinoteka) e kështu me rradhë. Në Tiranë prej vitit 2106 po bëhen përpjekje për krijimin e një kinemateke shqiptare.[4][5]
- ^ Cindy H. Wong, Film Festivals: Culture, People, and Power on the Global Screen, Rutgers University Press, 2011, f. 36
- ^ Përkufizimi i fjalës cinémathèque në fjalorin e Qendrës Kombëtare të Kërkimeve Tekstuale dhe Leksikore në Francë.
- ^ Përkufizimi i fjalës θήκη në Henry George Liddell, Robert Scott, A Greek-English Lexicon, Clarendon Press (1940), dixhitalizuar në projektin Perseus të Universitetit Tufts.
- ^ Kinemateka shqiptare, përzgjidhet në programin SOFA, Gazeta Sot, 26 gusht 2016
- ^ Përse bie kjo daulle Arkivuar 23 janar 2018 tek Wayback Machine.